Raporti i Bankës Botërore: Rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor, në ngjitje
2024-04-13 11:50:31

 

Banka Boterore (Foto Atsh)

Në raportin ekonomik të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor thuhet se rritja ekonomike në këtë rajon parashikohet të jetë më e lartë në vitin 2024 dhe të përshpejtohet edhe në vitin 2025, duke u kthyer në nivelet mesatare të para pandemisë, shkruan “ATSH”.

“Vendet e rajonit duhet të vijojnë me zbatimin e reformave me qëllim ngushtimin e hendekut të zhvillimit me vendet e BE-së dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Kjo përfshin rritjen e investimeve për qytete më të gjelbra, duke u dhënë atyre mundësi të kontribuojnë në mënyrë më efikase në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”,- thuhet në raport.

Aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit, pritet të rritet me 3.2% këtë vit, ose 0.2 pikë përqindje më shumë se rritja e parashikuar nga Banka Botërore në raportin e mëparshëm dhe pritet të vijojë me një rritje prej 3.5% në vitin 2025.

Sipas BB-së, rritja e lehtë në vlerat e parashikuara të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme reflekton një optimizëm të kujdesshëm pasi Ballkani Perëndimor ka përballuar një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, në raport theksohet se rreziqet në perspektivë vijojnë të anojnë nga kahu negativ. Sipas raportit, vazhdimi i rritjes së dobët në ekonominë botërore, veçanërisht në Eurozonë, do të përkthehej në nivele më të ulëta të investimeve dhe tregtisë me vendet e rajonit. Përveç kësaj, vlerat e parashikuara të rritjes, citohet raporti, ndikohen negativisht edhe nga faktorë të brendshëm, si shtimi i tensioneve gjeopolitike, emigracioni, pasiguria zgjedhore dhe inflacioni i vazhdueshëm.

“Progresi aktual nuk mjafton për të përmbushur aspiratat e qytetarëve dhe për të përmirësuar standardet e jetesës drejt atyre të Bashkimit Evropian. Plani i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht për ekonominë e gjelbër”, thuhet më tej në raport.

BB thekson se plani prej 6 miliardë eurosh do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve ekonomike midis rajonit dhe Bashkimit Evropian, partnerin e tij më të madh tregtar, dhe në zbatimin e reformave për rritjen e integrimit ekonomik brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, përmirësime të tilla si reduktimi i kohës së zhdoganimit dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në vendet e rajonit mund të çojë në përfitime të ndjeshme ekonomike për këto vende.

Investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor, vërehet më tej, mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale, sipas raportit të Bankës Botërore.

Raporti rekomandon ndërmarrjen e veprimeve në tri fronte kryesore me qëllim gjelbërimin dhe forcimin e qyteteve në Ballkanin Perëndimor: krijimi i qyteteve sa më kompakte do të ndikonte pozitivisht në rritje, do të ulte kostot në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të përmirësonte situatën mjedisore; reformat dhe investimet që synojnë zgjerimin e sistemeve të transportit publik dhe kalimin në ndërtesa më të gjelbra, dhe me eficiencë energjetike do të pakësonte ajrin e ndotur, i cili është shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme çdo vit në rajon; nxehtësia ekstreme në qytete, me temperatura që në stinën e verës shkojnë 4,5- 7,5°C më të larta se në zonat rurale rreth tyre, do të ndikojë negativisht në produktivitet dhe shëndetin e njeriut.  (Irma)