Kreu i ILD-së, vizitë pune në institucionet e drejtësisë në Hagë
2024-04-13 12:15:30

Kreu i ILD-se ne Hage (Foto Atsh)

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, dhe anëtarë të ekipit të ILD-së zhvilluan një vizitë pune në institucionet e drejtësisë në Hagë. Ata u shoqëruan nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, Artur Kuko dhe prokurorja ndërlidhëse për Shqipërinë në EUROJUST, Fatjona Memçaj.

Synimi i vizitës ishte njohja dhe shkëmbimi profesional me drejtues e përfaqësues të sistemit të drejtësisë së Holandës me praktikat më të mira të shtetit të së drejtës dhe sfidat që ka sistemi i drejtësisë, jo vetëm në vende me demokraci të re si Shqipëria, por edhe ato me demokraci të konsoliduar si mbretëria e Holandës, shkruan “ATSH”.

Në një njoftim për shtyp ILD-ja bëhet e ditur se ë takimin me anëtarin e Gjykatës së Lartë, gjyqtarin Marc Fierstra, pjesë e trupës së posaçme të Gjykatës së Lartë që trajton masat disiplinore ndaj magjistratëve dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës holandeze për Gjyqësorin, biseda u fokusua te nevoja për të folur për çështje të etikës së magjistratëve, te diskutimet edhe brenda komunitetit të drejtësisë për dilema të ndryshme profesionale, e më e rëndësishmja besimi i publikut te pavarësia e sistemit edhe ndaj pushteteve të tjera.

Metani dhe Fierstra bashkëndanë qëndrimin se kanë të njëjtat vlera për pavarësinë dhe shtetin e së drejtës dhe se pavarësia nuk është një prerogativë e gjyqtarit a prokurorit, por një e drejtë e qytetarëve.

Në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Holandës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u prit nga presidenti i Këshillit, Henk Naves. Pas prezantimit reciprok të funksioneve të dy institucioneve, Metani dhe Naves u fokusuan te çështje të besimit tek drejtësia, integriteti i magjistratëve dhe pavarësia e tyre.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati një takim edhe me presidentin e Agjencisë Europiane për bashkëpunim në drejtësinë penale (EUROJUST), Ladislav Hamran, i cili shprehu vlerësimin për arritjet e Shqipërisë në fushën e drejtësisë dhe nënvizoi vullnetin për të ndihmuar një institucion të ri si ILD-ja, me arritjet e së cilit ishte familjar.

GJatë takimit Metani bëri një prezantim të funksioneve të institucionit dhe u shpreh se reforma në drejtësi ishte një traumë e madhe për shoqërinë por ishte e nevojshme dhe koha e provoi, pasi pavarësia e magjistratëve është një vlerë e çmuar e shtetit të së drejtës që po kultivohet në sistem. (Irma)