Ministrja Koçiu: Pediatria e re e specialiteteve rrit cilësinë e shërbimit për fëmijët
2024-04-13 11:52:35

Pediatria e specialiteteve (Foto Vymaps)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se rikonstruksioni i pediatrisë së specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është drejt përfundimit, duke e cilësuar një investim të rëndësishëm që rrit cilësinë e shërbimit për fëmijët, shkruan “ATSH”.

Ministrja Koçiu theksoi se rehabilitimi tërësor i kësaj godine mundëson rritjen e shërbimeve të specializuara për të vegjlit, kapacitetin e numrit të shtretërve si dhe dhomat e konsultave në shërbim të pacientëve.

Koçiu shprehu angazhimin për ofrimin e kushteve bashkëkohore, ambienteve moderne si dhe standardeve më të mira për shëndetin e fëmijëve.

Rehabilitimi tërësor i godinës mundëson përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj.

Me përfundimin e punimeve kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT. (Irma)