Librat për fëmijë nxisin shkëmbimet kulturore kino-perëndimore në Panairin Ndërkombëtar të Librit
2024-04-13 11:44:14

Panairi i librit (Foto Exhibitionstand)

Librat origjinalë kinezë për fëmijë tërhoqën vëmendjen e vizitorëve në Panairin e 61-të Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë, që u zhvillua në Bolonja të Italisë.

Më shumë se 60 përfaqësues kinezë pritën dhjetëra aktivitete në panairin e librit.

“Delegacion i fortë kinez mes shtëpive botuese dhe stendave të mbushura me njerëz në ditën e parë të frekuentimit gjithnjë në rritje”,- raportoi gazeta financiare italiane “Il Sole 24 Ore”, citon “Xinhua”.

Ilustruesi spanjoll Tassies vizitoi stendat e ndryshme kineze, duke treguar librat e tij të pikturuar me dorë dhe të botuara në Kinë. Ai kishte udhëtuar nga Barcelona për të gjetur më shumë miq si partnerë botues kinezë për librin e tij. “Mendoj se panairi i librit i këtij viti ishte veçanërisht interesant, sepse pati një fokus te Kina”,- tha Tassies, duke shtuar se panairi i librit për fëmijë është një mundësi e madhe për të njohur popullin kinez dhe kulturën e tyre.

Këtë vit, Kina u ftua të ishte “Tregu i fokusit” për herë të parë në historinë e panairit. Gjatë eventit kulturor u mbajtën më shumë se 40 ngjarje të organizuara nga botuesit kinezë dhe kompanitë e librit, me mbi 2500 libra të ekspozuar. Audrey Lorenzini, një botuese italiane, u tërhoq nga një seri librash me figura tredimensionale për fëmijë dhe tha se kishte në plan të blinte të drejtën e autorit. Lorenzini është shumë e interesuar për kulturën kineze dhe dëshiron ta sjellë atë në tregjet italiane dhe evropiane, pasi beson se historitë klasike kineze mund të tërheqin edhe fëmijët perëndimorë.

Në ekspozitën e “Beijing Allied Fortune Times Group”, një seri librash me figura të quajtur “Let's Retrace The Silk Road” tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve. Sipas Zhang Shaofeng, menaxher i përgjithshëm i grupit, libri është prodhuar nga kompania së bashku me UNESCO-n dhe autori dhe ilustruesi janë italianë. Libri tregon historinë e Rrugës së Mëndafshit nga këndvështrimi perëndimor dhe lindor dhe është shumë i popullarizuar nga shitësit e huaj të librave. Seria e librave pritet të përkthehet në pesë gjuhë.

Statistikat zyrtare tregojnë se librat kinezë për fëmijë tani kanë hyrë në më shumë se 100 vende dhe rajone.

Elena Pasoli, menaxhere e ekspozitës së Panairit të Librit për Fëmijë të Bolonjës, tha se ekspozuesit kinezë kanë injektuar vitalitet dhe kreativitet të ri në panair.

“Panairi ynë i librit ka qenë gjithmonë i përkushtuar për të promovuar shkëmbimet kulturore dhe eksplorimin artistik me Kinën”,- tha ajo.

Panairi tërhoqi më shumë se 1500 shtëpi botuese nga afro 100 vende dhe rajone. (Irma)