OKB përgënjeshtron Izraelin për ndihmat në Gaza
2024-04-13 12:05:07

Ndihmat ne Gaza (Foto Panorama)

Jamie McGoldrick, koordinatori humanitar i OKB-së në Jeruzalem, deklaroi se është e qartë se Izraeli po punon për të rritur ndihmën humanitare në Gaza, por nuk i ka zbatuar ende të gjitha masat që ka njoftuar, shkruan “RTSH”.

“Ne e kemi kërkuar këtë për muaj të tërë. Kemi theksuar faktin se ka një krizë të vërtetë humanitare në veri, ku zia e bukës është e pashmangshme. Vetëm tani kemi filluar të shohim njoftimet, por nuk e shohim ende zbatimin aktual”,- tha ai.

Forcat e Mbrojtjes izraelite njoftuan të enjten se do të ndërtonin një vendkalim tokësor midis Izraelit dhe Gazës veriore, pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, premtoi se vendi i tij do të lejonte ndihmat drejt Gazës. 

COGAT, agjencia izraelite që koordinon inspektimin dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare për Gazën, njoftoi se numri ditor i kamionëve që hyjnë në Gaza është dyfishuar nga numri i javës së kaluar, por UNRWA-ja, agjencia e OKB-së për Çështjet Palestineze, që ndjek rrjedhën e ndihmave në Gaza, nuk ka raportuar një rritje të ngjashme.

Koordinatori humanitar i OKB-së ka mirëpritur njoftimet e reja nga qeveria izraelite, por thotë se duhet bërë më shumë për të lehtësuar operacionet brenda Gazës.

McGoldrick tha se ndërlikimet logjistike janë të shumta dhe kërkojnë kohë për t'u zgjidhur. Ai theksoi se kufizimet e Izraelit për lëvizjen brenda brezit i komplikojnë gjërat. (Irma)