Banka Botërore: Rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2024, 3.3%
2024-04-13 11:24:11

BB per Shqiperine (Foto Atsh)

Banka Botërore prezantoi raportin ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në pjesën për Shqipërinë vlerëson se në vitin 2024 rritja ekonomike pritet të mbetet e fortë në 3.3%, në kontekstin e kushteve të shtrënguara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Evropë, shkruan “ATSH”.

Sipas raportit të Bankës Botërore, zgjerimi i aktiviteteve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisin rritjen e eksporteve, konsumit dhe investimeve me ritme të ngjashme me nivelet para pandemisë.

“Norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3% në fillim të vitit 2025. Megjithëse po tregon shenja moderimi, treguesi i ndjesisë ekonomike mbetet pozitiv. Bilanci primar i Shqipërisë parashikohet të arrijë në 0.2% të PBB-së në vitin 2024 dhe të qëndrojë në nivele të ngjashme pozitive në përputhshmëri me rregullin fiskal. Konsolidimi fiskal pritet të arrihet si nga ana e të ardhurave ashtu edhe nga ana e shpenzimeve”, thuhet në raport.

Për sa i përket borxhit publik, sipas raportit, pritet të bjerë më tej në 58.2% të PBB-së gjatë këtij viti dhe të vijojë rënien edhe në periudhë afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë në terma nominalë dhe arritjes së një bilanci primar pozitiv.

Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, sipas raportit, përbëjnë një rrezik të rëndësishëm për rritjen ekonomike, pasi ato mund të ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme, të ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht të kufizojnë hapësirën fiskale.

“Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në BE ose shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit në vitet në vijim”, thuhet më tej.

Raporti thekson se rreziqet për rritjen ekonomike burojnë nga fatkeqësitë natyrore dhe kushtet e pafavorshme globale.

Ndërsa rreziqet fiskale, nënvizohet në raport, burojnë nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjeve shtetërore, si edhe nga sektori i energjisë elektrike i bazuar në prodhim nga burime hidrike, kryesisht për shkak të ndryshimeve në kushtet hidrologjike. (Irma)