Integrimi në sistemin europian të bankave, guvernatori i BSH-së takon bordin ekzekutiv të Bankës Qendrore gjermane
2024-04-13 11:47:02

Guvernatori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim zyrtar një delegacion nga Banka Qendrore e Gjermanisë, të kryesuar nga Burkhard Balz, anëtar i bordit ekzekutiv të “Deutsche Bundesbank”, në kuadër të programit “Për forcimin e kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me fokus integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore” dhe bashkëpunimit të deritanishëm të Bankës së Shqipërisë dhe “Deutsche Bundensbank” në lidhje me këtë program, shkruan “ATSH”.

Vizita e përfaqësuesve të Deutsche Bundensbank synon njohjen nga afër me institucionet pjesë e programit, vlerësimin e përgjithshëm të përfitimit të tyre nga ky program, si dhe përcaktimin e nevojave për të ardhmen.

Guvernatori Sejko e vlerësoi si shumë të frytshëm bashkëpunimin e deritanishëm në kuadër të programit, i cili ka si objektiv forcimin e kapaciteteve të institucioneve përfituese, kryesisht përmes përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve të tyre analitike dhe politike, nëpërmjet përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.

Programi mbështetet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet instrumentit të tij për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III).

Nga trajnimet përmes programit përfitojnë rreth 70 punonjës të BSH-së.

Aktivitetet e dy komponentëve, rajonal dhe lokal, fokusohen në tema specifike që lidhen me detyrat e Bankës Qendrore dhe të mbikëqyrjes financiare.

Balz përgëzoi autoritetet shqiptare për progresin e bërë në aspektin profesional dhe institucional, i cili e ka ndihmuar vendit në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe social. Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të “Bundesbank” për ta ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.

Gjithashtu, gjatë takimit u rikonfirmua rëndësia e bashkëpunimit teknik ndërkombëtar si një instrument për dialog institucional, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i shkëmbimeve të eksperiencave rreth tematikave në fushat si mbikëqyrja bankare, sistemet e pagesave, siguria kibernetike etj.

Banka Qendrore e Gjermanisë ka rolin drejtues dhe zbatues të Programit për “Forcimin e kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin e Perëndimor me fokus integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore”. Ajo kryeson Komitetin Drejtues të programit dhe ka përgatitur Marrëveshjet e Bashkëpunimit në emër të 19 bankave qendrore të vendeve përfituese dhe Bankës Qendrore Evropiane. (Irma)