Kryeministri britanik i cilësoi të papranueshme kërcënimet iraniane kundër Izraelit
2024-04-13 12:27:53

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri britanik Rishi Sunak i cilësoi të papranueshme kërcënimet iraniane për të kryer një sulm raketor ndaj Izraelit. Ai përsëriti mbështetjen e Britanisë së Madhe për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, shkruan “ATSH”.

Irani është zotuar të hakmerret pasi dy nga gjeneralët e tij të lartë u vranë në një sulm ajror në konsullatën e tij në Siri në fillim të këtij muaji, për të cilin ushtria amerikane beson se ishte kryer nga Izraeli.

Ndërsa Izraeli nuk e ka komentuar sulmin, udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli duhet të ndëshkohet, deklaratë e cila u konsiderua e papranueshme nga kryeministri britanik, gjatë një interviste mediatike.

“Ne, si amerikanët, mbështesim plotësisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”, theksoi Sunak.

Britania e Madhe e konsideron Iranin një rrezik të madh për sigurinë rajonale dhe ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur vendin nga kërcënimet nga Irani.

Izraeli ka kërcënuar se do ta godasë Iranin drejtpërdrejt nëse ai fillon një sulm nga territori i tij dhe i druhet faktit se lufta midis Izraelit dhe Hamasit mund të zgjerohet përmes përfshirjes së grupit militant Hezbollah me bazë në Liban të mbështetur nga Irani. (Irma)