Ambasadori i BE-së në Shqipëri kërkon të zgjidhen menjëherë Avokati i Popullit dhe Komisioneri Antidiskriminim
2024-04-13 12:29:47

Keshilli per Integrimin (Foto Rtsh)

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka kërkuar në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian që të emërohen në mënyrë urgjente Avokati i ri i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mandati aktual i të cilëve ka përfunduar.

Ambasadori Gonzato kërkoi vullnet politik për zgjidhjen e ngërçeve të mundshme, shkruan “RTSH”.

“Ne vijojmë të monitorojmë reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj. Ka disa çështje që kërkojnë vëmendjen tonë. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore sepse çështjet e mbartura në gjykata kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe ne kemi sjellë nevojën për një udhërrëfyes sesi mund të ulet numri i çështjeve të prapambetura. Pavarësia e gjyqësorit është themelore që fillon me një sistem të fortë vetëqeverisës”,- deklaroi ambasadori Gonzato.

Pritet jo vetëm punë e fortë, por edhe vullnet i fortë politikë që të tejkalohen bllokimet e ndryshme potenciale që ekzistojnë, dhe kjo është urgjente, theksoi ai, sepse mandati i dy krerëve ka mbaruar tashmë në vitin 2023.

“Ka nevojë urgjente nga Parlamenti për të trajtuar emërimet tashmë të vonuara të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrotjen nga Diskriminimi, që si institucione luajnë një rol të rëndësishëm dhe vonesa e tyre i dobëson ato”,- u shpreh ai. (Irma)