Kryediplomatja gjermane kërkon nga Irani qetësimin e situatës me Izraelin
2024-04-13 12:35:32

Kryediplomatja gjermane (Foto Atsh)

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, zhvilloi një bisedë telefonike me homologut iranian, Husein Amirabdollahian, ku kërkoi uljen e tensionit mes shqetësimeve në rritje për një sulm iranian ndaj Izraelit.

“Askush nuk duhet t’i lejojë vetes të hedhë më shumë benzinë mbi zjarrin. Askush nuk mund të ketë interes për një zjarr me pasoja krejtësisht të paparashikueshme”,- deklaroi Baerbock, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm kilian, Alberto van Klaveren, shkruan “ATSH”.

“Të gjithë aktorët në rajon janë thirrur të veprojnë me përgjegjësi dhe të tregojnë vetëpërmbajtje”, theksoi Baerbock, duke shtuar se ky ishte mesazhi që i kishte përcjellë homologut Amirabdollahian.

Ajo tha se të gjitha linjat telefonike diplomatike janë në aksion për të parandaluar një përshkallëzim rajonal në Lindjen e Mesme. (Irma)