Parlamenti Evropian miratoi Paktit për Emigracionin dhe Azilin
2024-04-12 10:47:55

Foto nga VCG

Gjatë seancës plenare, deputetët shprehën shqetësimin e mosmiratimit të disa prej legjislacioneve, gjë që do të çonte në një efekt domino, shkruan “Panorama”.

Diskutimi i eurodeputetëve u zhvillua në prani të hartuesve të paktit, zv.presidentit të KE-së, Margaritis Schinas, dhe komisioneres përgjegjëse, Ylvas Johansson. Ata nënvizuan nevojën e votimit të dokumentit, duke theksuar se një votë kundër paketës është një votë kundër Europës së zgjidhjeve.

Shumica e raportuesve, nga Partia Popullore Evropiane, Socialistët, Demokratët dhe Liberalët, pranuan kritikat e bëra nga eurodeputetët, veçanërisht nga e majta dhe të gjelbërit, për tekstin e Paktit, por nënvizuan se ata nuk do të gjenin së shpejti një mundësi tjetër për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj emigracionit, pasi tashmë janë dashur gjithsej tetë vjet negociata të vazhdueshme dhe zgjidhje ad hoc, të zbatuara në kohë krize.

Të shqetësuar për forcimin e mëtejshëm të së djathtës ekstreme në zgjedhjet e ardhshme evropiane, shumë theksuan se Pakti duhej votuar, pasi, pavarësisht çdo dobësie, ai ofron për herë të parë një zgjidhje gjithëpërfshirëse evropiane, ndërkohë që do të ndërtojë besimin midis vendeve anëtare dhe ndërmjet BE-së dhe qytetarëve.

Pakti përfshin përditësimin e rregullores për të forcuar kontrollet në kufijtë e jashtëm të BE-së, rregulloren e procedurës së azilit, e cila vendos një procedurë të përbashkët për shtetet anëtare që duhet të ndjekin kur njerëzit kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, si dhe rregulloren e menaxhimit të azilit dhe emigracionit, e cila do të zëvendësojë Rregulloren aktuale të Dublinit.

Rregullorja e re përcakton se cili shtet anëtar është përgjegjës për shqyrtimin e një kërkese për azil (duke kombinuar solidaritetin e detyrueshëm për të mbështetur shtetet anëtare me fleksibilitet se si të kontribuojnë).

Pakti përmban ligje, duke vendosur kornizën, e cila u lejon shteteve anëtare të merren me situata krize, duke lejuar fleksibilitet në rregulla të caktuara, për shembull, në lidhje me regjistrimin e kërkesave për azil ose procedurën e azilit në kufi.

Reforma u prezantua për herë të parë nga Komisioni Europian në shtator 2020 dhe kaloi në disa faza derisa Parlamenti dhe Këshilli i Europës arritën një marrëveshje në parim dhjetorin e kaluar. (Irma)