Ukraina: Sulmet ruse goditën objektet energjetike në 5 rajone
2024-04-12 10:50:44

German Galushchenko (Foto nga VCG)

Rusia kreu një sulm masiv me raketa dhe dron mbi objektet energjetike në pesë rajone të Ukrainës të enjten në mëngjes, njoftuan autoritetet lokale.

Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, deklaroi në një postim në “Facebook”, cituar nga “Xinhua”, se u sulmuan objektet e prodhimit të energjisë dhe sistemet e transmetimit në rajonin lindor të Kharkiv-it, rajonin jugor të Zaporizhzhia-s, rajonin perëndimor të Lviv-it dhe rajonin qendror të Kievit.

Mbetjet nga dronët e rrëzuar Shahed shkaktuan një zjarr në një objekt energjetik në rajonin jugor të Odesa-s, shkroi në “Telegram” guvernatori i qytetit, Oleh Kiper.

Rreth 200.000 familje në rajonin e Kharkiv-it mbetën pa energji elektrike pasi 10 raketa goditën qytetin, tha guvernatori i zonës Oleg Synegubov.

Sipas tij, stacioni i metrosë në Kharkiv aktualisht po punon si strehë.

Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, “DTEK”, raportoi se pajisjet në dy nga termocentralet e saj u dëmtuan nga sulmi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në “Telegram” se Rusia e ka sulmuar Ukrainën me më shumë se 40 raketa dhe rreth 40 dronë.

Më herët të martën, një grua dhe një fëmijë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën pasi Ukraina bombardoi një fshat në rajonin perëndimor të Rusisë, Bryansk, shkroi në “Telegram” guvernatori lokal Alexander Bogomaz. (Irma)