Kreu i Unionit Turistik: Ka krizë për punonjës
2024-04-12 13:29:37

Foto nga Panorama

Kreu i Unionit Turistik, Rrahman Kasa, deklaroi se sipas statistikave të siguruara pritet që këtë vit të ketë 3 deri në 4 milionë më shumë turistë në Shqipëri.

Gjatë një interviste televizive, të përcjellë nga “Panorama”, ai foli dhe për problematikat e sektorit, duke theksuar si më kryesoret kapacitetet, infrastrukturën dhe burimet njerëzore. Këto, sipas tij, do të jenë edhe sfida më e madhe për sektorin këtë vit, pasi ka një krizë për punonjës, ndaj edhe është propozuar marrja e punonjësve nga jashtë.

“Sipas shifrave, priten 3-4 milionë turistë më shumë këtë vit. Vitin e kaluar që kishim 10 milionë, nuk janë turistë, por pasaporta të huaja, duhet të theksoj këtë. Edhe shqiptarët me pasaporta të huaja numërohen si turistë. Duke llogaritur këtu turistët nga Kosova, Maqedonia, ata që kalojë tranzit, numri real i turistëve është te 7 milionë. Problemi i mbipopullimit janë problemet që njohim të gjithë, kapacitetet, burimet njerëzore, infrastruktura, etj.

Sivjet besoj se burimet njerëzore do të jenë sfida kryesore sepse ka një alarm për staf të kualifikuar dhe të pakualifikuar. Unë kam propozuar që të marrim punonjës nga jashtë sepse nuk ka mundësi të tjera për të mbushur kërkesën. Ka krizë për këta punonjës. Nëse kemi 1.5 mln shqiptarë në vend dhe na vijnë 13 milionë turistë, kush do t’u shërbejë atyre. Kemi pasur një kërkesë për përfundimin e programeve studimore të studenteve, por nuk ka pasur interes. Në shumicën e rasteve nuk janë të interesuar”, shpjegoi ai. (Irma)