Ministrja Koçiu: Bashkëpunim për mbrojtjen dhe ndihmën ndaj fëmijëve në nevojë
2024-04-12 10:25:36

Foto nga ATSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vizitoi Shtëpinë e Foshnjës “Hanna dhe Rozafa”, në Tiranë, duke i falënderuar drejtuesit për përkujdesjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm për t’u dhuruar fëmijëve sadopak ngrohtësi familjare, shkruan “ATSH”.

Ministri Koçiu theksoi angazhimin e vazhdueshëm të ministrisë dhe Shërbimit Social Shtetëror për t’u ardhur në ndihmë dhe mbështetur fëmijët pa kujdes prindëror.

Ministrja apeloi për bashkëpunim, në mënyrë që asnjë fëmijë mos të ndihet i braktisur.

“Shërbimi ynë Social i ka të gjitha kushtet që të mbrojë absolutisht çdo të mitur në Republikën e Shqipërisë dhe t’i ofrojë një rritje të denjë, ashtu si të gjithë moshatarët e tjerë. Për t’ia dalë mbanë, kemi nevojë për solidaritetin dhe bashkëpunimin tuaj”, deklaroi ministrja Koçiu. (Irma)