Opozita liberale në Korenë e Jugut fiton zgjedhjet parlamentare
2024-04-12 14:23:19

Foto nga VCG

Opozita liberale e Koresë së Jugut arriti një fitore dërrmuese kundrejt partisë në pushtet të presidentit konservator, Yoon Suk Yeol, në zgjedhjet parlamentare të vendit.

Suksesi i opozitës nënkupton një dobësim të konsiderueshëm të kreut të shtetit në politikën e brendshme, shkruan “ATSH”.

Pasi u numëruan pothuajse të gjitha votat, Partia Demokratike e liderit të opozitës Lee Jae Myung forcoi pozicionin e saj si partia më e madhe e vetme në Asamblenë Kombëtare me 300 vende.

“PD, së bashku me partinë e saj më të vogël simotër, Aleancën Demokratike të Koresë, do të kenë 175 vende në Parlament, duke i siguruar asaj një shumicë absolute”, njoftuan mediet duke cituar Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Partia e Fuqisë Popullore në pushtet dhe partia e saj përkrahëse siguruan 108 vende.

Konservatorët e Yoon pësuan një humbje të rëndë për të tretën herë radhazi në zgjedhjet parlamentare në ekonominë e katërt më të madhe të Azisë. Yoon premtoi të reformojë çështjet shtetërore.

Më shumë se 44.25 milionë qytetarë kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet e së mërkurës. Sipas shifrave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte 67%, shifra më e lartë për zgjedhjet parlamentare në 32 vjet. (Irma)