Presidenti amerikan premton mbështetje të fortë për Izraelin
2024-04-12 14:19:03

Foto nga VCG

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka premtuar Izraelit mbështetjen e fortë të SHBA-së, mes frikës se Irani mund të nisë hakmarrjen pas një sulmi në konsullatën iraniane në Siri, 10 ditë më parë, që shkaktoi vdekjen e 13 personave, mes tyre edhe disa zyrtarëve të lartë iranianë, shkruan “BBC”, citon “ATSH”.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por gjerësisht konsiderohet se qëndron pas tij.

Biden paralajmëroi se Irani po kërcënon të nisë një sulm të madh, pasi Izraeli goditi. “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur sigurinë e Izraelit”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Udhëheqësi iranian tha ditë më parë se sulmi izraelit në Damask ishte i barabartë me një sulm ndaj vetë Iranit.

“Kur ata sulmuan zonën tonë të konsullatës, ishte sikur ata sulmuan territorin tonë. Regjimi i keq duhet të dënohet dhe do të dënohet”,- tha ajatollahu iranian Ali Khamenei në një fjalim.

Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të kishte çdo sulm hakmarrës.

Nëse Irani godet drejtpërdrejti Izraelin, ai do të rrezikonte një përshkallëzim edhe më të madh të konfliktit, ndërsa analistët thonë se Irani nuk ka aftësinë ushtarake për një konfrontim të rëndësishëm.

Ekspertët kanë sugjeruar gjithashtu se Irani mund të synojë Izraelin me një sulm kibernetik.

Forcat amerikane dhe izraelite në rajon janë vënë në gatishmëri të lartë këto ditë. (Irma)