Zvicra do të organizojë konferencë ndërkombëtare për paqen në Ukrainë
2024-04-12 10:53:49

Foto nga VCG

Zvicra njoftoi se do të organizojë në qershor një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë, për të ndihmuar në krijimin e një rruge drejt paqes në Ukrainë, shkruan “RTSH”.

Resorti “Bürgenstock” pritet të jetë vendi ku do të mbahet konferenca më 15-16 qershor.

Në të pritet të marrin pjesë zyrtarë qeveritarë prej dhjetëra shteteve, pas prezantimit të planeve nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ministri i Jashtëm zvicrean, Ignazio Cassis.

E përditshmja zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” raportoi se presidenti amerikan, Joe Biden, pas pjesëmarrjes në samitin e G7-s në Itali mund të marrë pjesë edhe në këtë konferencë.

Qeveria zvicerane bëri të ditur se në bisedimet për organizim të konferencës kanë marrë pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të dërguar të Brazilit, Kinës, Etiopisë, Indisë, Arabisë Saudite dhe Afrikës së Jugut.

“Aktualisht ekziston mbështetje e nevojshme botërore për një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë për procesin e paqes”,- thuhet në një deklaratë të qeverisë zvicerane, ku theksohet se duke marrë parasysh traditën e vjetër diplomatike, Zvicra konsideron se ka përgjegjësi për të kontribuuar në procesin e paqes në Ukrainë. (Irma)