Presidenti ukrainas kritikon mungesën e armëve nga Perëndimi
2024-04-11 15:25:01

Foto nga VCG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ankua edhe një herë për mungesën e mbështetjes me armë nga Perëndimi.

“Partnerët tanë kanë disa armë që na duhen sot për të mbijetuar. Dhe thjesht nuk e kuptoj pse nuk po i marrim këto armë”,- tha Zelensky, në një intervistë për disa media ndërkombëtare, citon “ATSH”.

Kohët e fundit ai ka kërkuar vazhdimisht për më shumë sisteme dhe municione të mbrojtjes ajrore.

Presidenti Zelensky vizitoi rajonin e Kharkivit, i cili është goditur nga sulmet ruse, për të vënë në dukje dëmtimin e infrastrukturës energjetike dhe problemet me furnizimin me energji elektrike.

Ai gjithashtu e bëri të qartë se vazhdon të shpresojë për raketat “Taurus” të Gjermanisë me rreze të gjatë veprimi.

“Por, Perëndimi i bashkuar ka sisteme moderne të armëve”, theksoi ai.

Udhëheqësi ukrainas po pret gjithashtu që ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kërkon rizgjedhjen në fund të këtij viti, të vizitojë Ukrainën së shpejti.

Trump ka pranuar një ftesë. Megjithatë, asnjë datë nuk është caktuar.

Presidenti Zelensky ka deklaruar vazhdimisht se pa ndihmën e Perëndimit, Ukraina do të përballet me humbje. (Elona)