Studimi: Gjermania po pëson plakje të shpejtë të popullsisë
2024-04-11 11:52:18

Popullsia e Gjermanisë (Foto Panorama)

Popullsia e Gjermanisë (Foto Panorama)

Një studim i fundit tregon se deri në vitin 2040, popullsia e Gjermanisë pritet të rritet me vetëm 0.6%. Njëkohësisht numri i njerëzve në moshë pune pritet të bjerë nën 50%, shkruan “Panorama”.

Sipas studimit të publikuar nga fondacioni “Bertelsmann”, Gjermania pritet të përjetojë deri në vitin 2040 një rritje të lehtë të popullsisë prej 0.6%.

Parashikimi bazohet në të dhënat për lindjet, vdekjet dhe emigrimin të ofruara nga Zyra Federale e Statistikave.

Rritja më e madhe e popullsisë pritet në landin jugperëndimor Baden-Württemberg me një rritje prej 4.6%. Popullsia e Berlinit pritet të rritet me 5.8% dhe Hamburgu, qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, parashikohet të ketë rritje prej 3.5%.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kurse popullsia në landin lindor Saksoni-Anhalt pritet të ketë një rënie prej 12.3% të popullsisë.

Tkurrje e popullsisë parashikohet edhe në landet lindore të Tyringjisë me 10.9% dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore me 7.3%.

Ralph Heck, kreu i fondacionit “Bertelsmann”, tha se rritja e numrit të të moshuarve në shoqërinë gjermane është e dukshme pothuajse në të gjitha landet federale.

Sipas studimit, përqindja e banorëve të moshës 65 vjeç e lart në Gjermani do të rritet nga 22% në vitin 2020 në 28% në vitin 2040.

Në të njëjtin hark kohor, përqindja e njerëzve në moshë pune do të bjerë nga 54 në 48%, ndërkohë që përqindja e grupmoshave më të reja në numrin e përgjithshëm të popullsinë do të mbetet pothuajse e pandryshuar.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Tani nevojiten strategji të dedikuara për të zhvilluar një infrastrukturë të përshtatshme për brezat e vjetër dhe për të kapërcyer sfidat ekonomike që do të shfaqen”,- tha Heck. (Elona)