Fitër Bajrami, kreu i KMSH-së: Bota të gjejë paqe dhe toleranca të mbizotërojë
2024-04-11 10:21:51

Foto nga VCG

Pas 30 ditësh agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë festuan të mërkurën Fitër Bajramin. Mijëra besimtarë kryen faljen e namazit në xhamitë dhe sheshet kryesore të Shqipërisë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahia, ka uruar të gjithë besimtarët për më shumë mbarësi, begati dhe dashuri në jetët e tyre. Pas faljes së namazit në sheshin “Skënderbej”, Spahia bëri thirrje që bota të gjejë paqe dhe toleranca të mbizotërojë mes njerëzimit, citon “RTSH”.

“Gëzuar festën e Fitër Bajramit! Paqe, mirësi e begati në familjet tona. Lutjet shkojnë për një Shqipëri sa më të mirë dhe të begatë. Në këtë ditë kemi të drejtën për të gëzuar dhe festuar dhe për ta ndarë këtë mirësi e begati që Zoti na ka dhënë pas këtij përkushtimi, me familjen e shoqërinë. Gëzuar shqiptarëve e popujve anë e kënd botës!”,- tha Spahia. 

Sipas besimit mysliman, në këtë ditë Allahu shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit. (Elona)