BE mbështet SPAK-un: Lojtar kyç në progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian
2024-04-11 11:23:28

Foto nga RTSH

Bashkimi Europian i dha një mbështetje të fortë SPAK-ut dhe kryeprokurorit të Posaçëm, Altin Dumani, duke nënvizuar se ky institucion është bërë një lojtar kyç në progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të bërë nga zyra e Bashkimit Europian, ka nënvizuar se mbështetja e BE-së për SPAK-un dhe Dumanin i është shprehur kryeprokurorit të posaçëm edhe gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre, citon “RTSH”.

“Duke hetuar dhe ngritur akuza për korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar në Shqipëri, SPAK-u është një lojtar kyç në progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të zgjerimit të BE-së. Ne japim mbështetjen tonë të plotë për punën e tij dhe kisha kënaqësinë të prisja në një takim kryeprokurorin e posaçëm Altin Dumani dhe donatorët kryesorë, për të identifikuar mënyrat për të vazhduar ndihmën ndaj SPAK-ut për të ndërtuar kapacitetet e tij”,- ka deklaruar ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato. (Elona)