Foto nga VCG
Britania e Madhe nuk do t’i pezullojë eksportet e armëve në Izrael pas vrasjes së shtatë punonjësve të ndihmës në një sulm ajror javën e kaluar, konfirmoi sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.
Cameron tha se kishte shqyrtuar këshillat më të fundit ligjore në lidhje me situatën në Gaza dhe se kjo e kishte lënë të pandryshuar pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar për licencat e eksportit, shkruan “ATSH”.
Duke folur në një konferencë shtypi në Uashington, ai tha se gjithsesi do ta mbajnë pozicionin nën shqyrtim.
Qeveria britanike është përballur me presion në rritje për të pezulluar licencat për eksportet e armëve në Izrael pas vdekjes së tre shtetasve britanikë në një sulm ajror që vrau shtatë persona që punonin për grupin humanitar “World Central Kitchen”.
Cameron tha se vazhdimi i lejimit të eksporteve të armëve e vendos Mbretërinë e Bashkuar në linjë me vendet e tjera me të njëjtin mendim dhe përsëriti se Mbretëria e Bashkuar kishte një proces të fortë ligjor për vlerësimin e këtyre licencave.
Ai shtoi se qeveria nuk do të publikojë apo komentojë këshillat ligjore, por do të veprojë në një mënyrë që është në përputhje me to.
Mbi 33.000 palestinezë dhe 200 punonjës ndihmash janë vrarë gjatë konfliktit izraelito-palestinez. (Elona)