Marrëveshja Shqipëri-Itali për sigurimet shoqërore, qeveria çon në parlament projektligjin
2024-04-11 15:18:56

Foto nga RTSH

Qeveria shqiptare ka dërguar në parlament për shqyrtim e miratim marrëveshjen për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë pensione shqiptarët që punojnë në Itali, si dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona siguri dhe perspektivë pozitive për të ardhmen, ndërsa palët kishin rreth 15 vite që negocionin për të arritur këtë firmë, që garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali dhe të atyre italianë në Shqipëri për pensionet, shkruan “ATSH”.

Rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë do të sigurojnë bashkimin e periudhave të kontributeve, duke bërë të mundur që asnjë vit pune mos të humbasë.

Objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, që përfshin përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.

Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë: Hungaria, Kanadaja, Turqia, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Kroacia dhe Kosova. Kësaj liste i shtohet edhe Italia, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Ndërkohë që janë në proces marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Rumaninë, Greqinë dhe Francën. (Elona)