Serbia, 3 miliardë euro për avionë luftarakë “Rafale” nga Franca
2024-04-11 10:28:34

Foto nga RTSH

Serbia dhe Franca kanë arritur një marrëveshje që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, “Rafale”, me synim modernizimin e forcës ajrore të këtij vendi. “Nënshkrimi i marrëveshjes do të ndodhë brenda dy muajsh, në prezencë të presidentit të Francës”,- tha për mediat presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Sipas tij, marrëveshja është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë. Vuçiç tha se blerja e aeroplanëve luftarakë “Rafale” do të përbënte blerjen më të madhe ushtarake të Serbisë, në vlerën e 3 miliardë eurove, bën të ditur “RTSH”.

Në vitet e fundit, Serbia e ka rritur bashkëpunimin me Francën në fushën e mbrojtjes. Nga viti 2018 deri në 2022-shin, Serbia ka ndarë më shumë se 1.4 miliardë dollarë në këtë sektor.

Presidenti Vuçiç e ka përmendur në disa raste se do të vazhdojë blerja e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Vetëm këtë vit janë ndarë 740 milionë euro në këtë drejtim. (Elona)