“Investo në tokën tande”, programi i ri për turizmin malor
2024-04-11 11:36:49

Turizmi (Foto RTSH)

Turizmi (Foto RTSH)

“Investo në tokën tande” është programi më i ri i qeverisë për zhvillimin e turizmit malor. Ai synon të rikthejë emigrantët për të investuar në tokën tyre, falë lehtësirave dhe mundësive të ndryshme që do të ofrohen për ta përmes një pakete “one stop shop”, bën të ditur “RTSH”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke bërë publik programin në Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë, tha se po punohet për një transport ndërqytetës, për një rrjet ndërlidhës shumë më të mirë, nga pikat hyrëse, portet dhe aeroportet.

Ministri Gonxhja tha se projekti synon tërheqjen e emigrantëve në vendin tyre. “Duam t’i nxisim ata dhe të investojnë me lehtësi shumë të mëdha në zona shumë të largëta”, - tha ministri, duke e cilësuar këtë nismë një nxitje për zhvillimin e ekonomisë rurale në zonat veriore të vendit.

“Kthimi i emigrantëve për të investuar në tokën e tyre është alternativa më e mirë”,- u shpreh ai, teksa vuri në dukje ambicien e qeverisë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor nga jugu deri në veri të vendit. (Elona)