Agjencia e OKB-së, jetike për shmangien e krizës së urisë në Gaza
2024-04-11 10:39:44

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë duhet të mbetet shtylla kurrizore e çdo reagimi humanitar për 2 milionë njerëz në Gaza, nëse do të shmanget kriza më e rëndë ushqimore në shekullin e fundit, deklaroi drejtori i Planifikimit të kësaj agjencie, Sam Rose, shkruan “RTSH”.

“Megjithëse SHBA-ja kërkoi lejimin e hyrjes së ndihmave, Izraeli po vazhdon të pengojë autokolonat e agjencisë sonë në Gazën veriore, ku rreth 300.000 njerëz po përballen me urinë. Hapësira jonë po vazhdon të shtrëngohet në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar ka nevojë urgjente për të marrë sa më shumë ndihmë për njerëzit në veri”, - u shpreh ai.

Izraeli ka informuar se synon të heqë gradualisht operacionet e agjencisë së OKB-së për refugjatët në Gaza dhe Bregun Perëndimor, pasi, sipas Tel Avivit zyrtar, 12 punonjës të kësaj organizate kanë marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit ndaj territoreve izraelite. (Elona)