Blinken: SHBA nuk ka marrë një datë të caktuar nga Izraeli për fillimin e ofensivës në Rafah
2024-04-11 10:30:38

Foto nga VCG

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony  Blinken, deklaroi se Izraeli nuk i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara për ndonjë datë specifike për fillimin e një ofensive të madhe në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por shtoi se zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë janë në kontakt të vazhdueshëm për t’u siguruar që çdo lloj operacioni i madh ushtarak nuk do të dëmtojë civilët, bën të ditur “RTSH”.

Komentet e Blinken vijnë një ditë pasi kryeministri izraelit Netanyahu tha se ishte caktuar një datë për pushtimin e qytetit Rafah. Ky qytet është i mbushur me rreth 1.4 milionë palestinezë, shumica e të cilëve janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës.

Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, kanë bërë të ditur se një operacion tokësor në Rafah do të ishte një gabim dhe kanë kërkuar që të shohin një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve.

Ofensiva ushtarake e Izraelit ka shtyrë Gazën në një krizë humanitare, duke lënë më shumë se 1 milion njerëz në prag të urisë.

Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant të Hamasit po zhvillohen në Kajro këtë javë. (Elona)