Konferenca e Investimeve, Kumbaro: Turizmi është industri, 4.2 miliardë euro të ardhura në vitin 2023
2024-04-10 15:07:46

Kumbaro konferenca (Foto ATSH)

Kumbaro në konferencë (Foto ATSH)

Në ditën e dytë të mbledhjes së Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, në Tiranë u mbajt “Konferenca e Investimeve në Turizëm dhe Zhvillimit Ekonomik të Europës dhe Shqipërisë” me fokus nxitjen e investimeve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përshëndeti nisjen e kësaj konference dhe u shpreh se Shqipëria ka hyrë në erën e investimeve në turizëm me qasjen e panegociueshme të zhvillimit të qëndrueshëm, shkruan “ATSH”.

Më tej, ministrja Kumbaro u ndal te shifrat, të dhënat dhe lehtësitë fiskale që krijojnë një mjedis atraktiv për të investuar në Shqipëri.

“Shqipëria sot po nis të korrë frytet e një pune të nisur vite më parë, me kuadrin ligjor që përgatitëm duke lehtësuar nga barrat fiskale investimet në turizëm. Turizmi nuk është thjesht çështje e numrit të vizitorëve, por është mbi të gjitha një çështje të ardhurash dhe tashmë ky sektor është bërë një industri. Plot 4.2 miliardë euro të ardhura nga ekonomia e turizmit në ekonominë shqiptare për vitin 2023 – 2.8 miliardë ishte kjo shifër për vitin 2022. Janë para që ushqejnë të gjithë zinxhirin e biznesit në vend”,- u shpreh ministrja Kumbaro. (Elona)