SHBA: Rusia po luan një lojë të rrezikshme në Zaporizhzhia
2024-04-10 17:42:41

CFP

CFP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën bindjen e tyre se Rusia po luan një lojë shumë të rrezikshme me kapjen ushtarake të termocentralit bërthamor ukrainas në Zaporizhzhia.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë personelin e saj ushtarak dhe civil nga uzina, të kthejë kontrollin e plotë mbi të tek autoritetet përkatëse ukrainase dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të çojë në një aksident bërthamor në fabrikë, citon “RTSH”.

“Ne jemi të vetëdijshëm për lajmin e një sulmi me dron kundër uzinës së Zaporizhzhia dhe ne vazhdojmë të monitorojmë kushtet edhe përmes raporteve zyrtare nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA)”,- tha zyrtari amerikan.

Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij kinez, Wang Yi, në Pekin, tha se Rusia këmbëngul të marrë vlerësime të sinqerta nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike për veprimet e Ukrainës në lidhje me sulmet ndaj centralit bërthamor të Zaporizhzhias.

CFP

CFP

“Ne duam ta çojmë çështjen në një takim të posaçëm të komitetit ekzekutiv të IAEA-s, në një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në këto forume do të insistojmë në nevojën për të marrë vlerësime të drejtpërdrejta, pa kurrfarë paragjykimi, për veprimet e regjimit ukrainas”,- tha Lavrov.

Sipas Lavrov, Rusia ra dakord për praninë e një misioni të IAEA-s në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, në mënyrë që punonjësit e organizatës të mund të japin një vlerësim objektiv të asaj që po ndodh atje. (Elona)