Grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, seancë dëgjimore për integrimin e të rinjve autikë
2024-04-10 17:28:41

Grupi i Deputetëve “Miqtë e fëmijëve” (Foto ATSH)

Grupi i Deputetëve “Miqtë e fëmijëve” (Foto ATSH)

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit mbi spektrin autik, grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, në bashkëpunim me “Klubin Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me ÇSA & PAK”, organizoi seancën dëgjimore me temë: “Së bashku për integrimin e fëmijëve dhe të rinjve me spektrin autik në Shqipëri”.

Në këtë seancë dëgjimore ishin të pranishëm përfaqësues të disa ministrive dhe të shoqërisë civile.

Gjatë seancës dëgjimore u diskutua për disa çështje të rëndësishme të ngritura nga Klubi Kombëtar, si njohja e kujdestarisë si vite pune.

Po ashtu u kërkua që transporti urban qytetas e ndërqytetas të rregullohet nëpërmjet një karte invaliditeti, pa ndasi dhe pa diskriminim, shkollat speciale të kenë mësues ndihmës, me profil pedagogji speciale, ndërhyrja stomatologjike të jetë falas ose të blihet nga shteti te privati, universitetet të jenë më gjithëpërfshirëse për të rinjtë me ÇSA & PAK, si dhe hapja e qendrave nga çdo bashki në vend, për mos të lejuar kështu lëvizjen e popullatës për mungesë të shërbimeve, shkruan “ATSH”.

Seanca u drejtua nga zëvendëskryetarja e grupit, Dasantila Tahiraj, e cila nënvizoi se tashmë gjërat kanë filluar të ndryshojnë si në qasjen e institucioneve, edhe në atë të shoqërisë sepse tani flitet më shumë për këtë kategori.

“Në dallim nga grupet e tjera me nevoja të veçanta të shoqërisë, fëmijët dhe të rinjtë me çrregullime të spektrit autik kanë nevojë për mbështetje ekonomike e sociale dhe për mbështetje për zhvillim. Në gjirin e tyre rriten talente potenciale, të cilët kujdesi ynë duhet t’i bëjë realitet. Kuvendi ka qenë pranë fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe familjeve të tyre. Po diskutojmë bashkërisht disa nga kërkesat më të rëndësishme të këtyre fëmijëve”,- u shpreh Tahiraj.

Në prezantimin e saj, Eglantina Bajrami, kryetare dhe drejtore ekzekutive e “Autizmi flet - Klubi Kombëtar i Prindërve të Fëmijëve me ÇSA & PAK” trajtoi disa problematika të rëndësishme të fëmijëve me spektër autik.

Përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të ndryshme pasqyruan disa aspekte të gjendjes aktuale të shërbimeve që ofron secila sipas fushave të zbatimit për fëmijët me spektër autik.

Në përfundim të seancës dëgjimore, nga grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve” u la si detyrë të tërhiqen propozime konkrete nga shoqëria civile dhe aktorët e tjerë për ndryshime të nevojshme ligjore, në mënyrë që jetesa e personave me spektër autik të bëhet sa më e lehtë dhe cilësore dhe të rritet aksesi i tyre në shërbime. (Elona)