Nikolla nënshkruan deklaratën, Kuvendi angazhim për zbatimin e standardeve të transparencës
2024-04-10 17:25:56

Nikolla (Foto ATSH)

Nikolla (Foto ATSH)

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënshkroi deklaratën e angazhimit të Kuvendit të Shqipërisë mbi zbatimin e Standardeve të Transparencës, të cilat janë hartuar nga Parlamenti, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI).

Me mbështetjen edhe të Sekretariatit për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit, Kuvendi angazhohet institucionalisht të zbatojë standardet më të larta të transparencës, të zgjerojë aksesin e qytetarëve, publikut dhe medias në veprimtarinë parlamentare, të rrisë llogaridhënien dhe të zbatojë me përgjegjshmëri përcaktimet në vizionin, misionin dhe vlerat themelore si një parlament i hapur, i përgjegjshëm, efektiv dhe produktiv, shkruan “ATSH”.

Prej disa vitesh, Kuvendi i Shqipërisë po krijon një model hapjeje e transparence ndaj mediave dhe qytetarëve.

Me nënshkrimin nga kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolla, të deklaratës së angazhimit, zbatimi i Standardeve të Transparencës vendoset tashmë në një kontekst të ri institucional dhe i hap rrugën hartimit të planit të punës për arritjen e këtyre standardeve. (Elona)