Kreu i OBT-së rekomandon kompanitë turistike botërore të investojnë në Shqipëri
2024-04-09 10:59:21

 (Foto nga Facebook Mirela Kumbaro)

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, rekomandoi të gjitha kompanitë që operojnë në fushën e turizmit të investojnë në Shqipëri, gjatë fjalës së tij në takimin e 70-të të Komisionit për Europën i OBT-së, zhvilluar në Tiranë, shkruan “ATSH”.

“Ky transformim i ndodhur mendoj se është rezultat i një pune të madhe dhe lidershipi të rëndësishëm. Rezultatet dhe suksesi kryesor në këtë rajon do të vijnë prej turizmit.

Ne të gjithë së bashku, jemi këtu për të mbështetur, t’u themi miqve tanë, anëtarëve të familjeve tona, të rikthehen, të vizitojnë Shqipërinë, kudo ku jetojnë”,- tha kreu i OBT-së.

Pololikashvili bëri të ditur se Organizatat Botërore e Turizmit ka përgatitur një udhërrëfyes ku rekomandon kompanitë që punojnë në fushën e turizmit të investojnë në Shqipëri.

“Shqipëria do të mirëpresë Panair Ndërkombëtar të Turizmit vitin e ardhshëm dhe do të festojmë sërish duke shijuar mikpritjen shqiptare, mirëseardhjen dhe kulturën shqiptare”,- tha kreu i OBT-së. (Fatosi)