Gjermani - Arrihet marrëveshja për rritjen e pagave mes sindikatës dhe operatorëve të aeroportit
2024-04-09 11:40:24

Foto nga VCG

Sindikata kryesore gjermane “Verdi” dhe operatorët e aeroportit kanë arritur një marrëveshje për rritjen e pagave që mbulon rreth 25.000 punonjës sigurie për të shmangur veprimet e mëtejshme të grevës, njofton “ATSH”.

Të dy palët njoftuan se kishin pranuar marrëveshjen e paraqitur nga ndërmjetësit.

Mosmarrëveshja e punës ka rezultuar në greva në disa nga aeroportet më të mëdha të Gjermanisë dhe shqetësim për mijëra udhëtarë pasi stafi i sigurisë së aeroportit u largua nga puna. Procesi i arbitrazhit filloi të premten në një vend sekret.

Muajt e fundit, sindikatat gjermane paralizuan transportin publik, qendrat e kujdesit ditor, spitalet dhe shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, për shkak të grevave të organizuara në të gjithë vendin, pas mosmarrëveshjeve për pagat e punonjesve të sektorit publik.

Sindikata “Verdi” ka kërkuar një rritje të pagave prej 10.5% dhe të paktën 500 euro më shumë në muaj për punonjësit e sektorit publik.  (Fatosi)