Ministrja Koçiu: Shqipëria, e përkushtuar për përfshirjen e pakicave kombëtare rome
2024-04-09 16:19:11

Ministrja Kociu (Foto Shqiptarja.com).jpg

Ministrja Koçiu (Foto Shqiptarja.com)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, deklaroi se Shqipëria, si një vend nënshkrues i Deklaratës së Poznanit, është plotësisht e përkushtuar për përmbushjen e objektivave të kësaj deklarate, duke ofruar mbështetjen e duhur dhe duke promovuar përfshirjen e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane në të gjitha sferat e shoqërisë, shkruajnë mediet shqiptare.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale nga ministrja Koçiu paraqitetet dhe shembulli i një zonje rome, nënë e 5 fëmijëve, e cila falë mbështetjes së qeverisë dhe biznesit ka një punë të qëndrueshme që i sjell të ardhura familjes.

Romët në Shqipëri janë pakicë kombëtare. Qeveria shqiptare në strategjinë për përmirësimin e kushteve të pakicës, miratuar në vitin 2003, citon burime të ndryshme për të vlerësuar popullatën rome mes 60 mijë dhe 120 mijë vetëve.

Censusi i vitit 2011 identifikoi gjithsej 8301 romë në të gjithë vendin.

Romët janë vendosur në Shqipëri në shekullin e 13-14-të, të ardhur nga Turqia e asaj kohe, ku dhe kishin emigruar më parë nga India e veriut. (Fatosi)