Komisioni për Europën i OBT-së në Tiranë, ministrja Kumbaro: Shqipëria po transformohet falë turizmit
2024-04-09 10:40:19

Foto nga Facebook Ministria e Turizmit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi në hapje të takimit të 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, i zhvilluar në Tiranë, se Shqipëria po përjeton kohën e transformimit falë turizmit, shkruan “RTSH”.

Sipas ministres Kumbaro, po shkruhet një kapitull i ri në Organizatën Botërore të Turizmit.

Duke paraqitur shifrat e vizitorëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2023, ministrja tha se u arrit një objektiv i rëndësishëm 10.1 milionë turistë të huaj.

Për 3 muajt e parë të këtij viti Shqipëria ka pritur 1.7 milionë vizitorë të huaj, shtoi ajo.

Ministrja Kumbaro theksoi se vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut.

“Sot Shqipëria është një surprizë e bukur dhe simbol se edhe vendet si njerëzit mund të rishpikin vetveten. Vendi po ngjall kureshtjen e të gjithëve”,- tha ministrja Kumbaro. (Fatosi)