Elon Musk përgënjeshtron “Reuters” se “Tesla” ka hequr dorë nga makinat elektrike me kosto të ulët
2024-04-09 16:33:50

Elon Musk / foto CFP

Pronari i Tesla-s, Elon Musk, akuzoi agjencinë e lajmeve “Reuters” se gënjeu pasi raportoi se “Tesla” ka hequr dorë nga planet për të prodhuar automjete elektrike me kosto të ulët dhe se do të fokusohet në zhvillimin e taksive-robot, shkruan “Panorama”.

“Reuters”, duke cituar burime të shumta anonime dhe “mesazhe të kompanisë”, shkroi se “Tesla” po braktiste premtimin e saj për të filluar prodhimin e automjeteve elektrike më të lira që në vitin 2025. Pas publikimit të raportit, stoku i Tesla-s ra deri në 6.2%.

“Reuters po gënjen përsëri”,- tha Musk, me anë të një postimi në platformën e tij të mediave sociale “X”.

Që në vitin 2018, pronari i Tesla-s, Elon Musk, ka thënë se kompania do të lëvizte në prodhimin e një makine 25.000 dollarëshe, e cila është quajtur Model 2.

Në janar, sipërmarrësi miliarder shtoi se kompania e tij ishte shumë larg prodhimit të një makine të përballueshme, raportoi “Bloomberg”.

Aktualisht, automjeti më i lirë i Tesla-s, Model 3, shitet me pakicë për gati 40.000 dollarë në SHBA, ndërsa makinat e tjera elektrike në linjën e saj mund të kushtojnë deri në 150.000 dollarë. (Fatosi)