Ligjvënësit francezë i kërkojnë presidentit Macron të ndalojë shitjen e armëve për Izraelin
2024-04-08 16:36:14

foto nga CFP

Presidenti i Francës Emanuel Macron / foto nga CFP

115 ligjvënës të opozitës franceze i kërkuan presidentit Emanuel Macron të ndalojë shitjet e armëve Izraelit për të shmangur të qenit bashkëpunëtor në gjenocid në Rripin e Gazës, transmeton “Anadolu”, citon “ATSH”.

Letra e përbashkët dërguar Macronit u shpërnda në platformën “X” nga ligjvënësja e krahut të majtë dhe nënkryetarja e grupit të partisë “La France Insoumise”, Mathilde Panot.

“Për shkak se Franca nuk duhet, nuk mundet dhe nuk do të shkelë ligjin ndërkombëtar, 115 deputetë i bëjnë thirrje presidentit të Republikës që të ndalë menjëherë shitjen e armëve Izraelit. Roli i Francës është të promovojë paqen, jo të jetë bashkëpunëtor në gjenocid”,- shkruan Panor.

Ligjvënësit thonë në letër se edhe shitjet e armëve të konsideruara thjesht mbrojtëse duhet të ndërpriten për Izraelin.

“Është me rëndësi të kujtojmë se masa të ngjashme janë marrë tashmë nga vende të tjera, si Kanadaja, Holanda dhe Spanja. Është koha që Franca ta kapë momentin historik”,- thuhet në letër. (Irma)