Meksika ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Ekuadorin
2024-04-08 11:41:23

Foto nga VCG

Meksika ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Ekuadorin, pasi policia mësyu në ambasadën e saj në Quito, për të arrestuar ish-zëvendëspresidentin ekuadorian Jorge Glas, i cili strehohej aty pasi kishte kërkuar azil, njofton “RTSH”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se i gjithë stafi diplomatik meksikan do të largohej menjëherë nga Ekuadori.

Policia ekuadoriane hyri në Ambasadën e Meksikës në kryeqytetin e Ekuadorit të premten mbrëma, për të arrestuar ish-zëvendëspresidentin, i cili kërkon azil, një përshkallëzim i situatës që Meksika e cilësoi si një zemërim kundër ligjit ndërkombëtar.

I dënuar dy herë me akuza për korrupsion, Glas thotë se ai është subjekt i persekutimit politik dhe ishte strehuar brenda ambasadës.

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, shkroi në llogarinë e tij zyrtare në “X” se ishte informuar se policia nga Ekuadori hyri me forcë në Ambasadën meksikane dhe mori Glas, i cili strehohej aty ndërsa kërkonte azil për shkak të persekutimit dhe ngacmimeve me të cilat përballet.

Një deklaratë e publikuar nga qeveria e Ekuadorit në “X” konfirmoi gjithashtu arrestimin.

Në deklaratën e qeverisë së Ekuadorit thuhet se Glas u dënua me burgim nga sistemi i drejtësisë ekuadoriane dhe u arrestua nën urdhrat e autoriteteve kompetente.

“Atij i ishte dhënë azil diplomatik në kundërshtim me kuadrin ligjor konvencional”,- bëri të ditur qeveria. (Fatosi)