Çarja e digës detyron Rusinë të evakuojë mijëra banorë nga rajoni afër me Kazakistanin
2024-04-08 11:02:23

Foto nga VCG

Rusia evakuoi më shumë se 4 mijë banorë nga rajoni i Orenburgut pranë kufirit me Kazakistanin, pasi rrezikoheshin nga përmbytjet pas çarjes së digës, si pasojë e shirave të rrëmbyer, njofton RTSH.

Niveli i ujit arriti maksimumin dhe situata më e rëndë paraqitet në qytetin kufitar të Orskut me 230 mijë banorë. 2 mijë prej tyre u evakuan nga banesat ditën e shtunë, por rreziku mbetet i lartë nga lumi Ural në qytetin kryesor të Orenburgut.

Mijëra shtëpi u përmbytën. Emergjencat Civile ndihmuan banorët me varka dhe jelekë shpëtimi.

Rusia gjithashtu njoftoi se ka nisur hetimin penal për neglizhencë dhe shkelje të rregullave të sigurisë në ndërtim.

Diga që shpërtheu nga tejmbushja me ujë ishte ndërtuar në vitin 2014 dhe sipas prokurorisë lokale nuk mirëmbahej rregullisht.

Disa rajone të Uraleve, Siberisë Perëndimore dhe pjesë të Kazakistanit janë prekur nga përmbytjet.

Presidenti i Kazakistanit deklaroi se përmbytjet e fundit mund të jenë katastrofa natyrore më e madhe në shkallë dhe impakt në 80 vitet e fundit.  (Fatosi)