Manchester City sjell në Tiranë 5 trofetë e fituar sezonin e kaluar
2024-04-08 10:52:59

Foto nga Panoramasport

Në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Manchester City pritet të zbarkojë këtë muaj në Durrës, për një shkollë futbolli të klubit anglez, njofton “Panorama”.

Ekipi i famshëm i futbollit anglez dhe atij botëror do të sjellë 5 trofetë e fituar sezonin e kaluar. “Champions League”, “Premier League”, “UEFA Supercup”, “FA Cup” dhe “FIFA Club World Cup” janë pesë trofetë e City-t që do të ekspozohen më 17 prill në një nga sallat e kryeministrisë.

Ekipi anglez do të dërgojë edhe katër trajnerë të ekipeve të moshave, të cilët do të vizitojnë Tiranën.

“Dyrrah City Football Academy” është akademia e krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe “City Group” që do të ndërtojë qendrën më të madhe dhe më moderne me ambiente trajnimi në vend e më gjerë dhe më pas do të krijojë shkollën e futbollit në Durrës.

Qeveria shqiptare ka miratuar në Fletoren Zyrtare shumën prej 900 milionë lekësh për akademinë e futbollit “Durrah City”.  (Fatosi)