Delegacioni i BE-së në Shqipëri nxit çiklizmin si një mënyrë transporti të pastër
2024-04-08 16:06:20

foto nga CFP

foto nga CFP

Bashkimi Europian miratoi këtë javë Deklaratën Europiane për Çiklizmin, duke e parë këtë metodë si një mënyrë transporti të pastër, të qëndrueshme dhe të përballueshme, shkruan “ATSH”.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri bëri të ditur se kjo deklaratë përfshin angazhime të qarta për të nxitur çiklizmin në vendet e BE-së.

“BE-ja është gati të ecë drejt së ardhmes. Deklarata Europiane për Çiklizmin përfshin rrjete të sigurta dhe koherente çiklizmi në qytete; lidhje më të mira me transportin publik; sigurim i hapësirave të parkimit dhe akses në pikat e rimbushjes së biçikletave elektronike”- bëhet e ditur në njoftimin për shtyp.

Po ashtu, Delegacioni i BE-së në Tiranë apelon për përdorimin e biçikletës si mënyrë për të kontribuar për një ajër më të pastër. (Fatosi)