Netanjahu: Izraeli nuk do të pranojë armëpushim pa u liruar pengjet në Gazë
2024-04-08 19:49:10

foto nga VCG

foto nga VCG

Kryeministri Benjamin Netanjahu tha të dielën, gjashtë muaj pas sulmit të Hamasit, se Izraeli nuk do të bjerë dakord për një armëpushim në Gazë, pa u liruar pengjet.

Zoti Netanjahu tha se pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje, Izraeli nuk do të dorëzohet ndaj kërkesave "të skajshme" të Hamasit.

Ai i bëri komentet në një takim të kabinetit qeveritar, ndërsa pritet një raund i ri bisedimesh në Egjipt në përpjekje për një armëpushim.

Një zyrtar i qeverisë izraelite konfirmoi të dielën se një delegacion izraelit do të marrë pjesë në negociatat që synojnë arritjen e një armëpushimi në konfliktin e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka tërhequr një numër trupash tokësore nga pjesa jugore e Rripit të Gazës, duke lënë vetëm një brigadë atje gjashtë muaj pas fillimit të ofensivës, tha të dielën një zëdhënës i ushtrisë.

Izraeli ka reduktuar numrin e trupave në Gazë duke filluar nga fillimi i vitit për të lehtësuar rezervistët dhe nën presionin në rritje nga aleati i tij, Uashingtoni për të përmirësuar situatën humanitare.

Ushtria nuk dha detaje mbi arsyet e tërheqjes së ushtarëve apo se sa prej tyre do të largoheshin.

Është e paqartë nëse tërheqja do të thotë që do të shtyhet një inkursion i paralajmëruar prej kohësh në qytetin jugor të Gazës, Rafah, që zoti Netanjahu thotë se është i nevojshëm për të eliminuar Hamasin.