IAEA paralajmëron për rrezikun nga sulmet në centralin bërthamor të Zaporizhias
2024-04-08 19:43:24

foto nga VCG

foto nga VCG

Shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore, dënoi të dielën një sulm me dronë në një nga gjashtë reaktorët në Centralin e Zaporizhias të kontrolluar nga Rusia, duke thënë se sulme të tilla "rrisin ndjeshëm rrezikun e një aksidenti të madh bërthamor".

Në një deklaratë në platformën e mediave sociale X, Rafael Mariano Grossi konfirmoi të paktën tri goditje të drejtpërdrejta. "Kjo nuk duhet të ndodhë", tha ai.

Rusia fajësoi Ukrainën për sulmin, por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bërthamore nuk fajësoi asnjërën palë.

Një zyrtar ukrainas i zbulimit tha se Kievi nuk kishte asnjë lidhje me ndonjë sulm në central.

Zoti Grossi tha se ky ishte sulmi i parë i tillë që nga nëntori i vitit 2022, kur ai përcaktoi pesë parime bazë për të shmangur një aksident të rëndë bërthamor me pasoja radiologjike.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore konfirmoi në një deklaratë dëmet fizike nga sulmet me dronë në central, duke përfshirë një nga gjashtë reaktorët e tij.

“Dëmtimi në njësinë 6 nuk ka komprometuar sigurinë bërthamore, por ky është një incident serioz me potencial për të dëmtuar integritetin e sistemit të kontrollit të reaktorit”, thuhet në deklaratën e agjencisë.