Izraeli shkarkon oficerët përgjegjës për vrasjen e punonjësve të bamirësisë në Gaza
2024-04-07 18:12:07

foto: VCG

Ushtria e Izraelit njoftoi se ka shkarkuar dy oficerë të lartë dhe ka qortuar tre të tjerë për rolin e tyre në sulmet me dronë në Rripin e Gazës, si pasojë e të cilave u vranë shtatë punonjës të organizatës bamirëse “World Central Kitchen” gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore, shkruan “Panorama”.

Nga hetimi izraelit bëhet e ditur se forcat izraelite menduan se po sulmonin pjesëtarët e armatosur të Hamasit, kur në të vërtetë sulmuan makinën e punonjësve humanitarë.

Sipas hetimit, ata shkelën procedurat standarde të ushtrisë.

Vrasja e punonjësve humanitarë të hënën, gjë të cilën Izraeli e pranoi, vjen pas akuzave të vazhdueshme nga aleatët kryesorë se Izraeli nuk po bën sa duhet për të mbrojtur civilët e Gazës gjatë luftimit të Hamasit.

Shtatë punonjësit e vrarë ishin nga Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze. (Irma)