Ministrja Kumbaro: Nevojiten investime të nivelit të lartë në turizëm
2024-04-07 18:00:48

foto: VCG

foto: VCG

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se turizmi po afirmohet gjithnjë e më shumë si sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, që gjeneron jo vetëm të ardhura monetare, punësim por dhe po ngre gjithnjë e më shumë imazhin e vendit.

Gjatë një interviste televizive, përcjellë nga “ATSH”, ministrja Kumbaro theksoi se viti 2023 konfirmoi mbi 10 milionë vizitorë të huaj, duke konsoliduar këtë prirje edhe në dy muajt e parë të vitit 2024 me 55.5% më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ajo deklaroi se tashmë turizmi në Shqipëri nuk është një sektor, por një industri.

Duke iu referuar të ardhurave nga turizmi që hynë në ekonominë shqiptare, ministrja tha se për vitin 2023 të ardhurat nga turizmi prekën shifrën rekord prej 4.2 miliardë euro, 1.4 miliardë më shumë se një vit më parë.

Sipas saj, tashmë qeveria e ka të qartë rrugën e zhvillimit.

Ndërsa vlerësoi se pjesëmarrja në panairet e mëdha botërore të turizmit ka shtuar vëmendjen ndërkombëtare për Shqipërinë, ministrja theksoi se tashmë synimi është turizmi elitar.

“Është koha për të folur për investime të nivelit të lartë në turizëm. Ka ardhur koha ku duhet të jemi shumë seriozë dhe puna që kemi bërë gjithë këto vite duhet të konsolidohet për të shkuar drejt turizmit elitar. Shqipëria është shumë e vogël, nuk mban miliona turistë. Ne na duhen turistë që paguajnë mbi 100 euro në ditë. Këto kërkojnë një tjetër vizion, nuk na duhen 30 milionë turistë me mjedis të dëmtuar, mjaftojnë 10 milionë turistë por që janë elitarë”,- deklaroi ministrja Kumbaro. (Irma)