Ambasadori Gonzato: Miratimi i Planit të Rritjes i BE-së shton mundësitë për shqiptarët përpara anëtarësimit
2024-04-07 17:39:13

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, e cilësoi arritjen e marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor nga presidenca e Këshillit Evropian dhe Parlamenti Evropian një lajm shumë të mirë për rajonin, shkruan “ATSH”.

“Kjo paketë është një nxitje e madhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ofron më shumë mundësi të reja për qytetarët shqiptarë dhe ata të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit”,- deklaroi ambasadori Gonzato.

foto: VCG

foto: VCG

Presidenca e Këshillit të Europës dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për krijimin e një lehtësie për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor.

Paketa është pjesa qendrore e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të paraqitur nga KE-ja në nëntor 2023. Ajo do të mbulojë periudhën nga 2024 deri në 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, kjo paketë do të plotësojë instrumentin ekzistues për asistencën e para anëtarësimit (IPA III), duke rritur ndjeshëm ndihmën financiare për partnerët në rajon.

Paketa do të mbështesë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor në ndërmarrjen e reformave të lidhura me BE-në dhe do të stimulojë konvergjencën e tyre ekonomike me BE-në, bazuar në agjendat ambicioze të reformave. Ajo do të promovojë gjithashtu përafrimin e partnerëve me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së me synimin për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Marrëveshja e përkohshme tani do të duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Europian me synimin që të miratohet zyrtarisht nga të dy institucionet pas rishikimit ligjor-gjuhësor. (Irma)