Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin “Për amnistinë penale”
2024-04-06 17:35:01

Kuvendi i Shqiperise (Foto Atsh)

Kuvendi i Shqiperise (Foto Atsh)

Pas një seance maratonë, Parlamenti i Shqipërisë votoi me 110 vota pro dhe 1 kundër projektligjin “Për amnistinë penale”, duke finalizuar dakordësinë e arritur pak kohë më parë mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit, shkruan “RTSH”.

Sipas amendamenteve të dorëzuara në Kuvend, parashikohet falja e të gjithë protestuesve të opozitës, përjashtuar ata që kanë goditur punonjësit e policisë.

Prej amnistisë pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe rreth 2500 persona në shërbim prove.

Përfitues të aministisë janë në total 3150 të dënuar, nga të cilët 2070 shërbim prove, 1080 me vendim të formës së prerë, 590 lirohen direkt nga burgu, 500 të tjerë përfitojnë ulje dënimi 1- 1.5 vite.

Nga amnistia janë 4 kategori që përfitojnë: Të gjithë ata që janë dënuar maksimalisht me 3 vite burg për burrat dhe 4 vite burg për gratë; Të gjithë burrat që u kanë mbetur dhe 3 vite nga kryerja e dënimit dhe gratë që u kanë mbetur 4 vite burg. Pra mund të jesh dënuar me 9 apo 10 vite por të kanë mbetur 3 dhe 4 vjet; Burrat që janë baras 60 vjeç në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit apo mbi 60 vjeç apo gratë 50 vjeç apo mbi 50 vjeç përfitojnë automatikisht; Fëmijët që kanë qenë në momentin e kryerje së dënimit baraz apo nën 18 vjeç.

Përveç kategorive të përcaktuara përfituese të amnistisë, që përfshijnë gamë të gjerë të veprave që konsiderohen të lehta, përfitues do të jenë edhe të tjerët me nga një vit e gjysmë nëse janë gra e fëmijë dhe 1 vit nëse janë burra. Për këtë, është ndjekur strategjia e parimeve të humanizmit.

Nga amnistia penale nuk mund të përfitojnë kategori si dënuarit me burg përjetë, të arratisurit, vrasësit në rrethana cilësuese dhe të gjithë subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. (Irma)