Osmani: Zgjedhjet presidenciale, referendum popullor për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut
2024-04-06 17:11:00

foto: VCG

foto: VCG

Kandidati shqiptar për president i koalicionit “Fronti Evropian”, Bujar Osmani, deklaroi se Maqedonia e Veriut ndodhet në udhëkryq, pasi një rrugë çon drejt së ardhmes së ndritur evropiane, tjetra çon drejt izolimit, pa perspektivë dhe paqartësi. Ndaj, sipas tij, zgjedhjet presidenciale mund të konsiderohen si një referendum popullor që do të përcaktojë të ardhmen e vendit, shkruan “ATSH”.

Gjatë një takimi me elektoratin, ai tha se koalicioni i tij është fronti më i madh multietnik evropian, një koalicion prej nëntë partish, një platformë e re që ka dalë nga Marrëveshja Kornizë. Sipas tij, qëllimi i këtij koalicioni është ruajtja e kursit euroatlantik, ruajtja e harmonisë ndëretnike në vend, për të ruajtur marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe të përfundohet rruga e integrimit evropian për Maqedoninë e Veriut për t’u bërë anëtare e BE-së deri në vitin 2030.

“Bashkohuni me ne. Do ta vijojmë karvanin e fitores në të katërta anët e vendit, duke dëgjuar kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve, duke kuptuar dhe prezantuar planet e mia se si në pesë vitet e ardhshme ky vend do të bëhet anëtar i BE-së dhe qytetarët do të kenë një të ardhme të ndritur evropiane dhe të sigurt”,- theksoi Osmani.

Në takim morën pjesë përfaqësues të rinisë së partive nga koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga partia shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI-ja. (Irma)