KKIE takim ndërgjegjësues me studentë të huaj dhe shqiptarë për rolin e Kuvendit për integrimit në BE
2024-04-06 17:12:39

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) organizoi një takim ndërgjegjësues mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, me studentë dhe pedagogë të huaj nga Gjermania dhe Austria, si dhe me studentë shqiptarë të “Albanian University”.

Të ftuarit u pritën nga Jorida Tabaku, kryetare e KKIE-së dhe Toni Gogu, nënkryetar i KKIE-së, të cilët biseduan me ta lidhur me rolin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian në procesin e integrimit në BE, por dhe sfidat me të cilat po përballet vendi, shkruan “ATSH”.

Keshilli i Integrimit Europian (Foto Atsh)

Keshilli i Integrimit Europian (Foto Atsh)

Tabaku i njohu të ftuarit me problemet me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria. Ajo theksoi se vendi ndodhet në një moment kyç për hapjen e negociatave dhe se procesi, ndonëse i vonuar, mbështetet masivisht nga shqiptarët.

Gogu i njohu studentët me funksionet bazë të Kuvendit për procesin e integrimit, ku përmendi përafrimin me legjislacionin europian, rolin që po luan Kuvendi në monitorimin e zbatimit të të gjitha kritereve dhe detyrimeve që ka vendi në procesin e integrimit, si dhe arritjet e bëra në drejtim të hapjes së negociatave me BE-në.

Ndër të tjera, Gogu u ndal te miratimi i Reformës në Drejtësi, rezultateve të saj si dhe rolit domethënës të saj në hartëzimin e hapave të procesit të integrimit, duke sqaruar më tej se vendi është në prag të hapjes së Kapitujve Themeltare.

Më pas, Tabaku dhe Gogu iu përgjigjën pyetjeve të studentëve lidhur me fenomenin e emigracionit, mobilitetin social, nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet ekonomia dhe tregu i lirë, qasjes ndaj inovacionit dhe teknologjisë, nevojës për gjetjen e mekanizmave të duhur për njohjen e procesit nga qytetarët por dhe përfshirjes së tyre në këtë proces, krijimin e perspektivës evropiane të vendit, etj. (Irma)