Banka e Shqipërisë miraton rregulloren për integrimin në SEPA
2024-04-06 17:22:50

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren “Për përcaktimin e kërkesave për transfertat e kreditit dhe të debitimit direkt në euro”.

Në njoftimin për shtyp, cituar nga “ATSH”, Banka Qendrore bën të ditur se kjo rregullore është hartuar në kuadër të procesit të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, të njohur si “Tregu Unik i Pagesave në Euro”.

foto: VCG

foto: VCG

Anëtarësimi në SEPA është një objektiv i Bankës së Shqipërisë për të nxitur modernizimin e tregut të sistemeve të pagesave dhe integrimin e tyre me tregjet evropiane, si dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është pjesë e projektit “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor” si dhe objektiv i qeverisë shqiptare për të përmbushur një nga kriteret e planit të BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit.

Rregullorja e miratuar transpozon plotësisht dispozitat e rregullores së BE-së për kërkesat teknike dhe të biznesit për transfertat e kreditit dhe debitë e drejtpërdrejta në euro. Ajo ka si objekt kryesor përcaktimin e kërkesave teknike për transaksionet e transfertave të kreditit dhe të debitimit direkt të kryera në monedhën euro brenda Shqipërisë dhe ndërmjet Shqipërisë dhe zonës SEPA.

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të vendoset brenda mesit të këtij viti.

Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë. (Irma)

Zv.kryeministrja Balluku takon përfaqësuesin italian të Doganave, për nxitje të volumeve tregtare (e perseritur)